Telegrafi

Batatina: Treguam se jemi skuadër që do të luftojmë për kreun

Llapi ka triumfuar në derbin rajonal ndaj Prishtinës me rezultat 3-2.

Ka qenë një ndeshje dramatike dhe spektakolare njëkohësisht, ku llapjanët në kohën shtesë morën fitore.

Pas ndeshjes ka folur trajneri i Llapit, Tahir Batatina ku fillimisht ka falënderuar Ulpianën që ia lejoi përdorimin e stadiumit.

“Dua ta falënderoj skuadrën e Ulpianës fillimisht për pritjen vëllazërore pasi na la ta zhvillojmë ndeshjen këtu. Tani do të kthehemi në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’. Kjo ka qenë një ndeshje ku treguam gjithçka si skuadër, dominuam në tërësi, në çdo aspekt. Do ishte dashur që rezultati të jetë 3:0 pasi na u anulua një gol që as vet gjyqtarët nuk e dinë pse është anuluar goli. Njerëzit në FFK duhet ta mendojnë mirë këtë sepse mund t’ua humbin djersën atyre që fitojnë. Arbitri nuk ka qenë në nivelin e duhur, le t’i shohë vetë gabimet ku i ka bërë’, ka thënë fillimisht pas ndeshjes Batatina.

Tutje trajneri llapjan tha se fitoren ia dedikon legjendave, derisa tha se treguan që janë skuadër që luftojnë për kreun.

“Fitoren ua uroj tifozëve të klubit ‘Legjendave’, të cilët na përkrahin vazhdimisht. Mendoj se treguam që jemi skuadër me të cilën mund të luftojmë për kreun e tabelës. Kampionë janë këta djem, me angazhim e luftë të pakompromis. Për taktikë nuk kam çfarë të flas. Të gjithë trajnerët e dinë se kur lëshohem në ofensivë, problem është të më ndalin”, përfundoi Batatina. /Telegrafi/