Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka folur pas fitores së ekipit të tij ndaj Dritës në kuadër të javës së 29-të në Ipko Superligën e Kosovës.
Llapi ka arritur një fitore të vështirë në shtëpi ndaj Dritës me rezultat minimal 1-0 falë golit të talentit Festim Alidema.
Pas fitore, Batatina ka thënë se Llapi i tij është i fuqishëm dhe do ta bëjë vetveten kampion, ndërsa në verë do të luaj në garat ndërkombëtare.
“E kemi ditur se Drita ka një skuadër cilësore. Ata sot kishin ardhur tejet të motivuar, por është e kotë sepse Llapi është shumë i fuqishëm. Ne do ta bëjmë kampion vetveten dhe nuk kërkojmë që të na bëjë dikush tjetër”, ka thënë fillimisht Batatina pas ndeshjes.
“Do të hyjmë me qetës nga ndeshja në ndeshje. Do ta presim të qetë duelin me Trepçën ’89 e pastaj i kemi dy ndeshje me rivalët direkt. Sot referimi ishte shumë i mirë dhe nëse referohet kështu nuk kemi nevojë për referë ndërkombëtarë”.
“Dua t’u them tifozëve të mos presin lojëra të mira nga Llapi në këto ndeshjet e fundit. Për mua me rëndësi është të shënojmë një gol dhe t’i marrim tri pikë. Lojëra të mira ju garantoj në stadiumin e legjendës Fadil Vokrri, atëherë kur Llapi do të marrë pjesë në gara ndërkombëtare”, përfundoi trajneri llapjan.
Momentalisht Feronikeli është lider në tabelë me 68 pikë apo dy më shumë se Llapi i vendit të dytë dhe tri më shumë se Prishtina e vendit të tretë që ka një ndeshje më pak. /Telegrafi/