Llapi i Tahir Batatinës ka pësuar humbjen e katërt në këtë edicion të elitës së futbollit kosovar.
Edhe pse humbën 2-0 falë një loje fantastike nga Gjilani, Batatina nuk shqetësohet pasi ende mbeten në pozitën e parë.
Ai pas ndeshjes ka akuzuar gjyqtarin për mos akordimin e një penalltie për Llapin.
“Luajtëm shumë mirë por nuk patëm fat. Le të mbetet në ndërgjegjen e gjyqtarit ajo penallti që nuk e akordoi”.
“Nuk kemi pse të shqetësohemi pasi ne jemi ata që prijmë por sot patëm mundësi të shkëputemi”, u shpreh Batatina për Supersport.
Sipas numrit një të bardh e kaltërve, Llapi po ua hapka sytë skuadrave të tjera dhe po iu tregon si luhet futbolli.
“Llapi po ua hap të gjithëve sytë dhe po iu tregon se çka është futbolli evropian”.
“Patëm tri mungesa kyçe si Hamdi Namani, Dardan Jashari e Mirlind Daku të cilët janë lojtarët kryesorë për ne”, u shpreh Batatina.
Krejt në fund ai skuadrën e tij e krahason me dy gjigantë evropian si Real Madridi e Barcelona.
“Humbin edhe Real Madridi e Barcelona andaj nuk shqetësohem sepse jemi në vendin e parë”, ka deklaruar Batatina.
Real Madridi ka pësuar dy humbje këtë edicion në La Liga, ndërsa Barcelona ende nuk di se çka është humbja këtë edicion.
Pas 14 javëve në Superligë, Llapi ka pësuar katër humbje dhe të gjitha në udhëtim me rezultate bindëse 3-1 nga Trepça ’89 e Drita, 3-0 nga Liria dhe 2-0 nga Gjilani. /Telegrafi/