Telegrafi

Batatina i lumtur me fitoren ndaj Dritës, përgëzon futbollistët e Llapit

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina u deklarua i lumtur pas fitores në udhëtim te Drita, por meritat e tri pikëve ua dha futbollistëve të tij.  

Llapi e nisi sezonin pranveror me një fitore të madhe 1-0 në udhëtim te Drita në kuadër të javës së 19-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Pas ndeshjes, Batatina tha se futbollistët janë më meritorët, ndërsa është i lumtur që e nisen sezonin pranveror me fitore.

Lexo po ashtu Llapi mposht Dritën, merr tre pikë të arta nga udhëtimi në Gjilan

“Mendoj se ndeshjet derbi vendosen nga detajet e vogla. Luajtën dy skuadra cilësore dhe jam i lumtur që e nisëm mbarë Superligën, sidomos me fitore ndaj Dritës, e cila me vite të tëra është skuadër e fortë dhe gjithnjë në pjesën e sipërme të tabelës”, ka thënë fillimisht Batatina pas ndeshjes.

“Duhet ta potencoj se djemtë janë më meritorët për fitoren. Unë e shoh futbollin më ndryshe se të tjerët dhe i pranoj gjitha rezultatet. Djemve ju them se përgjegjësinë për humbje e marrë unë, ndërsa ju jeni meritorë për fitore”.

“Planifikuam të dilnim me krah dhe ashtu edhe shënuam. Drita na vuri në vështirësi, por mendoj se mbrojtja funksionoi mirë dhe mesfusha vrapoi shumë”.

“Dritës i uroj suksese në vazhdimësinë e kampionatit, ndërsa ne do të mendojmë për ndeshjen e radhës”, përfundoi trajneri llapjan. /Telegrafi/