Llapi ka arritur ta ndalë Prishtinën në barazim 1-1 duke e lënë katër pikë mbrapa liderit Dritës skuadrën kryeqytetase.
Ahmed Jonuzi realizoi për mysafirët në pjesën e parë, ndërsa Mentor Zhdrella me një gol maestral nga gjuajtja e lirë barazoi gjithçka.
Pas ndeshjes trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se skuadra e tij ka qenë e vetëdijshme se po përballen me ekipin më të mirë në Kosovë.
“Kemi qenë të vëmendshëm vazhdimisht sepse luajtëm ndaj skuadrës më të mirë në Kosovë dhe më cilësore, e kemi ditur se kanë sulmues të mirë dhe goli erdhi nga një pakujdesi. Kishim rastet tona edhe në pjesën e parë, në pjesën e dytë shënuam dhe tentuam ta kemi ndeshjen në kontroll”, tha fillimisht Batatina për “Super Sport Kosova”.
Krejt në fund numri një i bankës së llapjanëve tha se skuadra e tij nuk bënë pjesë në kalkulime, pasi luan futboll të pastër.
“Llapi sot ka ndaluar shumë zëra të njerëzve që nuk ia donë të mirën Llapit, duke iu treguar se ne nuk bëjmë kalkulime pavarësisht pozitës në tabelë pasi është përfolur se Prishtina do vjen këtu dhe do na bëjë katër gola”, përfundoj Batatina.
Prishtina me këtë barazim ka mbetur në pozitën e dytë në tabelë me 51 pikë, katër më pak se lideri Drita, ndërkohë Llapi zë vendin e gjashtë me 38 pikë të grumbulluara pas 26 ndeshjeve. /Telegrafi/