Llapi arriti në frymën e fundit që të merrte në shtëpi një pikë përballë Drenicës në kuadër të javës së 24-të në Superligën e Kosovës, pasi ndeshja përfundoi 3-3.
Trajneri i skuadrës nga Podujeva, Tahir Batatina nuk ishte edhe shumë i lumtur me këtë pikë të vështirë të fituar, duke shfaqur kritikat e tij.
“Ndeshjen e nisëm mirë, teksa realizuam edhe golin të cilin e kishim planifikuar të vinte në mënyrë të tillë”, ka thënë ai pas ndeshjes për Art Sport.
“Pranuam një gol pasi përfundoi koha e rregullt dhe nga një pakujdesi e jona. Më pas në pjesën e dytë pranuam sërish dy gola, një për gabim të ‘gardianit’ Nava dhe një tjetër për shkak të mbrojtësit Haliti, të cilat realisht si kemi pritur”.
“Më pas rrezikova duke inkuadruar edhe dy sulmues të qendrës dhe arritëm ta rikthenim rezultatin”.
“Më vjen keq sepse Drenica me gabimet tona e mori këtë pikë”, përfundoi Batatina.
Llapi aktualisht është në vendin e shtatë me 27 pikë të arkëtuara. /Telegrafi/