E kishte mposhtur Prishtinën në “Zahir Pajaziti”. Një gjë të tillë e kishte bërë edhe në “Agron Rama” të Obiliqit dhe i mungonte vetëm edhe një fitore në “Fadil Vokrri” për ta kompletuar het-trikun e tij si trajner i Llapit.
Tahir Batatina shef i shtabit teknik te skuadra llapjane u shpreh i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të tij pas fitores me FC Prishtinën në kryeqytet, teksa vlerësoi lartë edhe skuadrën e Bylbyl Sokolit.
“E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë. Prishtina është një skuadër shumë e fortë dhe ka individë shumë cilësorë. Por, kam pasur besim te skuadra se mund të ja dalim. Jemi një skuadër në komponim e sipër dhe po mundohemi dalëngadalë të vijmë në lojën tonë. E mira e futbollit është që Prishtina dhe Llapi kanë krijuar një rivalitet dhe po bëhet një derbi i vërtetë. Të dy skuadrat sot kishin rastet e veta, por neve na mjaftoi një gol për ta fituar ndeshjen”, deklaroi Batatina pas ndeshjes për “Super Sport Kosova”.
Më tej i pari i klubit llapjan tregoi edhe për “çelësin” e këtij suksesi.
“Kemi luajtur kujdesshëm pasi që Prishtina ka lojtarë kualitativ në repartin ofensivë. Kemi punuar gjatë gjithë javës në stadiumin “Agron Rama” të Obiliqit dhe sot e kishim më të lehtë të luanim, pasi që ndryshimi nga tereni me bari sintetik në atë natyral po na shkakton jo pak probleme. Fitoren ua dedikoj drejtuese të klubit”, mbylli Batatina.
Llapjanët kanë tashmë dy fitore, një barazim dhe një humbje, por që marrin një impuls shtesë pas fitores në kryeqytet për të luftuar për kreun e tabelës. /Telegrafi/