Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka folur pas humbjes së ekipit të tij te Drita me rezultat 1-0 në kuadër të javës së parë të stinorit pranveror në Superligën e Kosovës.
Llapi ishte afër ta merrte një pikë të madhe në udhëtim, por në fund u dorëzuan duke pranuar gol, në një ndeshje ku kushtet atmosferike ishin shumë të vështira.
Goli i vetëm dhe i fitores në këtë takim erdhi në minutën e 74-të me anë të Astrit Fazliut, por trajneri Batatina mendon se ekipi i tij meritonte një barazim.
“Mendoj që të dy skuadrat janë cilësore dhe dy skuadrat kanë zhvilluar ndeshje shumë të vështira në Kupë, ku kanë shkuar edhe në vazhdime”, ka thënë fillimisht Batatina pas ndeshjes.
“Kushtet nuk kanë qenë të duhura për të zhvilluar një ndeshje më atraktive dhe me ritëm më të lartë, por përkundër këtij fakti loja ishte mjaft interesante”.
“Ne i patëm rastet tona dhe shtyllën për të kaluar në avantazh dhe më pas ta zhvillojmë pjesën e dytë më të qetë, por nuk ia dolëm. Në pjesën e dytë, nuk patëm nevojë të tërhiqemi në atë formë, por kushtet nuk na lejuan të luajmë më hapur”.
“Është mëkat që Llapi është në pozitën e tetë, duke parë futbollin cilësor që zhvillon. Sot e merituam së paku një barazim”, përfundoi trajneri i Llapit. /Telegrafi/