Llapi ka marrë fitore të madhe ndaj Ballkanit me rezultat 3-2, nënjë ndeshje spektakolare.
Ka qenë një duel me shumë rikthime në rezultat, por që në fund pikët e plota mbetën në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë.
I lumtur me fitoren e skuadrës së tij u shpreh pas ndeshjes trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
“Llapi nuk ka pasur këtë vit formë të dobët, me përjashtim të ndeshjes ndaj Ferizajt. Në pranverë, Llapi ka bërë lojëra të jashtëzakonshme”.
“Sa i përket ndeshjes me Ballkanin, mendoj se në çdo aspekt e kemi dominuar kundërshtarin. Shënuam të parët nuk arritëm ta menaxhojmë situatën edhe pse pranuam dy gola”.
“Përkundër që ishim në disavantazh, ne nuk u dorëzuam dhe dhamë maksimumin për të arritur te rezultati pozitiv. Ishte një lojë e luftuar dhe e bukur për publikun, pasi pesë gola të shënuar në derbi është diçka e bukur për futbollin tonë”, ka thënë Batatina.
“Na është dashur kjo fitore që erdhi në momentin e duhur dhe na motivon për ndeshjen e radhës që e kemi në kupë, garë që synojmë ta fitojmë”.
“Nuk ishte aspak lehtë ndaj Ballkanit, por djemtë e merituan këtë fitore. Mendoj se kjo fitore do të jetë kthesa e madhe e Llapit”, tha Batatina. /Telegrafi/