Site icon Telegrafi

Bastisjet e fundit, OVL e UÇK-së proteston sot para selisë së EULEX-it

Foto: Arkiv

Organizata e Veteranëve të Luftës do të mbajë sot protestë për të kundërshtuar bastisjet e fundit ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se protesta do të nisë nga ora 12:00 para objektit të EULEX-it në Fushë Kosovë.

“Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i, janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal.

Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë”, ka shkruar Klinaku.

Me urdhër të Dhomave të Specializuara, EULEX dje ka bastisur shtëpinë e ish-luftëtarit të UÇK-së, Behar Berisha.

Ndërkaq ditëve të fundit u ka sekuestruar telefonat personal ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remit, ish-të burgosurit politik, Nait Hasanit, vëllait të luftëtarit të UÇK-së, Sali Mustafës, si dhe ka bastisur shtëpinë e heronjve Fahri e Bahri Fazliu.

Exit mobile version