Site icon Telegrafi

Bastisje në tri lokacione në Viti – gjenden armë

Policia ka kryer kontrolle në tri lokacione të ndryshme pas plagosjes së dy personave në Fshatin e Ri të Vitisë.

Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë zbuluar një arsenal armësh, duke përfshirë një armë automatike të llojit AK-47 me dy karikatorë dhe katër fishekë, 17 gëzhoja, një pistoletë me tre fishekë, një pushkë gjuetie dhe një tjetër pistoletë me dy karikatorë dhe 28 fishekë.

Në njoftimin e bërë nga policia, është konfirmuar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë të dyshuarit N.H. dhe N.B., të akuzuar për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërsa, i dyshuari A.B. është arrestuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Dy të plagosurit kanë kërkuar ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Pozheran të Vitisë, pastaj janë transferuar në Spitalin Regjional në Gjilan.

Sipas Policisë, ata janë jashtë rrezikut për jetë.

Exit mobile version