Të mërkurën, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka konfirmuar se është duke kryer operacione në Prishtinë.
Forcat e shumta policore nga njësia e EULEX-it në mëngjesin e së mërkurës rreth orës 06:00, kanë shkuar në shtëpinë e Jakup Krasniqit në Prishtinë.
Bastisja në shtëpinë e tij është duke vazhduar, ndërkaq avokati i tij, Valon Hasani, është duke tentuar të hyjë brenda.
Lidhur me ngjarjen, ka pasur reagime të shumta nga qytetarët por edhe nga figurat publike.
Reperi Gold AG i cili është i njohur për reagimet e shpejta në lidhje me ngjarje të tilla, nuk shpëtoi pa publikuar diçka në përkrahje të Krasniqit në rrjetet sociale.
Ai ka publikuar në InstaStory një fotografi të Jakup Krasniqit të realizuar në periudhën e luftës, veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Jam historia veç me 3 shkronja, UÇK”, ka shkruar reperi me prejardhje nga Presheva në mbishkrimin e fotografisë.
Gold AG përndryshe është i njohur për numrin e madh të këngëve patriotike dhe atyre me dedikime ndaj veteranëve të UÇK-së. /Telegrafi/