Telegrafi

Bastiset shtëpia e Sabit Gecit, djali i tij dyshohet për fajde

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka bastisur disa lokacione mëngjesin e sotëm në Prishtinë, duke përfshirë edhe shtëpinë e ish-komandantit të UÇK-së, Sabit Geci, nën dyshimin se djali i tij merret me fajde.

Prokurori Sylë Hoxha në një prononcim për Telegrafin tha se bastisja nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me ish-komandantin Sabit Geci, por me djalin e tij, i cili dyshohet se është marrë me fajde së bashku me disa të tjerë.

“Dyshohet se djali i tij është marrë me fajde së bashku me disa persona të tjerë dhe me urdhër të Gjykatës e kërkesë të prokurorit sot Policia ka shkuar dhe e ka bastisur shtëpinë e tij”, ka thënë Hoxha.

Ndryshe, zyra për media e Policisë së Kosovës ka njoftuar se operacioni ka të bëjë me luftimin e veprave penale të krimit të organizuar dhe detyrimit-fajdeve. /Telegrafi/

Foto: Arkiv