Site icon Telegrafi

Bastet online në Shqipëri, zbardhet projektligji i qeverisë

Foto: Ilustrim

Bastet sportive online do të jenë të lejueshme shumë shpejt. Projektligji është hartuar tashmë dhe në ndryshim nga vitet e kaluara, bastet do të luhen online, ndërsa 15 për qind e parave do të investohen në sport dhe kulturë.

Hapja e basteve sportive, tashmë është çështje ditësh. Rregullat e lojës janë shkruar nga qeveria dhe pasi të kalojnë në një fazë të shkurtër këshillimi do të miratohen në parlament.  Ato do të luhen vetëm në pajisje elektronike, pra nuk do të ketë sallone apo biznese të posaçme si ato të para disa viteve, raporton Euronews Albania.

Kompanitë që do të marrin licencë duhet të kenë kapital mbi 20 mln lekë dhe përvojë mbi  3-vjecare në lojëra fati.

15 për qind e parave që do të arkëtohen në baste, do të shkojnë për mbështetjen e sportit, artit, kulturës dhe teknologjisë së inovacionit.

Ligji synon edhe mbrojtjen e lojtarëve, duke krijuar një fond garancie për fitimtarët, ku organizatori duhet të ngurtësojë 120 milionë lekë, por jo më pak se 5% e shumave të luajtura nga lojtarët brenda një viti, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Ndërkohë, në mënyrë që të shlyhen detyrimet ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit organizatori baste sportive online është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 50 milionë lekësh, në një llogari të veçantë bankare.

Ndryshe nga sallonet fizike, që arritën në 4700 në të gjithë vendin në vitin 2018, formati online nuk kufizon numrin e llogarive që hapen. /Telegrafi/

 

Exit mobile version