Telegrafi

Basketbollisti Rilind Krasniqi shkruan histori, regjistron “quadriple-double”

Z Mobile Prishtina ka shënuar fitoren e radhës në kuadër të xhiros së 24-t të Kosovës në basketboll.

Prishtinasit kanë shënuar fitore të thellë kundër skuadrës pejane të Boreas me rezultat 128:52.

Por, në ndeshjen e mbrëmshme vëmendje ka tërhequr paraqitje e basketbollistit të ri të “Plisave”, Rilind Krasniqi.

Ky i fundit ka arritur një sukses të paparë në basketbollin tonë duke realizuar “quadriple-double”.

Për 34 minuta lojë efektive, Krasniqi ka realizuar 24 pikë dhe ka pasur 18 kërcime, dhjetë asistime si dhe po aq topa të vjedhur.

“Pa dyshim që kjo e bën Rilindin, njërin ndër dy djelmoshat e rinj të basketbollit kosovar, të cilët kanë shkruar tashmë histori pozitive në Basketbollin tonë”, thuhet në njoftimin e klubit prishtinas.

Ndryshe, Prishtina mbetet ekipi i vetëm sivjet që nuk përjetuar ndonjë humbje dhe bindshëm udhëheq renditjen tabelore me 24 fitore. /Telegrafi/