Qendra amerikane, Jason Washburn , që edicionin e fundit ishte pjesë e Sigal Prishtinës, pritet të luajë për përfaqësuesen e Bullgarisë në ndeshjet eliminatore për ‘Eurobasket 2017’.
Bullgaria është pjesë e Grupit E të eliminatoreve ku bën pjesë edhe Përfaqësuesja e Kosovës, si dhe Sllovenia e Ukraina, shkruan Koha Ditore.
Përzgjedhësi i Bullgarisë, Lubomir Minchev, të hënën për gazetën ka konfirmuar se dëshiron ta natyralizojë Washburnin. Minchev ka thënë se tashmë ka kontaktuar me 26-vjeçarin, të cilin e sheh si lojtarin e duhur për të luajtur në trapez. Sipas Minchevit, ekipi i Bullgarisë ka mungesë të lojtarëve në pozitën e qendrës dhe për këtë arsye ka kërkuar natyralizimin e një të huaji.
Nëse Washburn natyralizohet nga Bullgaria, atëherë do të jetë basketbollisti i dytë i Sigal Prishtinës që do të luajë për bullgarët pas Stanimir Marinovit.
Washburn më herët pati deklaruar se do të ishte i gatshëm të luante për Kosovën në eliminatoret për ‘Eurobasket 2017’ nëse i bëhet ftesa. Por Përfaqësuesja e Kosovës ka ide të tjera sa i përket natyralizimit të të huajve, ndonëse ka paralajmëruar se do të përforcohet në pozitën e qendrës.