Kampionja e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina, është ndarë kokulur nga ndeshja kryesore e xhiros së parë, pasi që u mposht nga skuadra e Bashkimit në Prizren me rezultat 89-82.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi me një dominim të lehtë të bardhekaltërve, por në fund vendasit arritën të shkojnë në pushim pranë rezultatit të barabartë, 39-39.
Gjatë kësaj periudhe u dallua sidomos basketbollisti i transferuar këtë verë nga Bashkimi te Sigal Prishtina, Granit Rugova, i cili deri në ato çaste shënoi 20 pikë, më shumë se gjysma e pikëve të Prishtinës.
Por gjërat ndryshuan në të mirë të Bashkimit në çerekun e tretë, i cili me lojë të mirë në mbrojtje dhe me trepikëshat befasuese të të riut, Edmond Kryeziu, krijoi epërsi deri në 16 pikë, 70-54, që ishte më se e mjaftueshme për të arritur deri tek fitorja.
Më i dalluari në fitoren e Bashkimit ishte i rikthyeri, Kejuan Johnson, që regjistroi 19 pikë, 6 kërcime e 2 asistime, ndërsa u ndihmua edhe nga Rob Lewis, që shënoi dy pikë më pak.
Në anën tjetër, Granit Rugova mbeti koshashënuesi më i mirë i Sigal Prishtinës, ndërsa takimin e përmbylli me 26 pikë.
Sigal Prishtina në xhiron e radhës do të luajë në Karagaç përballë Pejës, derisa Bashkimi do të takohet me skuadrën tjetër nga kryeqyteti, Kerasan Prishtinën. /Borozani/