Site icon Telegrafi

Bashkimi fiton dramën kundër kampionit të Ligës Ballkanike

Janë nevojitur plot 50 minuta lojë, për t’u përcaktuar fituesi i ndeshjes ndërmjet Bashkimit dhe Sigal Prishtinës në palestrën Sezai Surroi sot.

Bashkimi shënoi fitore shumë të rëndësishme me rezultat 88:86, në një ndeshje tejet dramatike, duke e barazuar serinë e Play-Offit në 1-1.

Ndeshja filloi me lojën e mirë të mysafirëve, të cilët e përfunduar çerekun e parë me shtatë pikë epërsi, 9-16.

Në çerekun e dytë vazhdoi skenari i njëjtë vetëm deri në gjysmën e tij, pasi lëndimi i Mohamed Abukarit kur kishin mbetur edhe 5 minuta deri në përfundim të pjesës së parë, u bë edhe pikë thyese e ndeshjes.

Nga ai çast, Bashkimi i shtrëngoi dhëmbët dhe krijoi seri të shpejtë prej 10-0, për të shkuar më pas në pushim me rezultat pozitiv prej katër pikëve epërsi, 33-29.

Vendasit vazhduan me përqendrim maksimal sidomos në mbrojtje edhe gjatë çerekut të tretë, duke mos lënë në asnjë çast Prishtinën që ta përmbys disavantazhin, derisa shumica e pikëve të ekipit prishtinas vinin nga gjuajtjet e lira.

Por epërsia e Bashkimit vazhdoi vetëm edhe tre minuta në çerekun e katërt, pasi me pikët e Jason Washburn dhe treshet e Dardan Berishës, Prishtina kaloi në epërsi, për ta ruajtuar ate deri 36 sekonda para fundit, kur pas një kundërsulmi të shpejtë, Granit Rugova e barazon rezultatin për 64-64.

Kemp dërgon ndeshjen në vazhdime
Në sulmin e radhës, Prishtina e humb topin, derisa Rugova përsëri del në skenë duke shënuar trepikësh, për 67-64.

Dhe kur u mendua se gjithçka do të përfundojë me kaq, gjuajtja nga një distancë më e largët se gjysma e fushës e Willie Kemp, e barazoi rezultatin në 67-67, duke e dërguar ndeshjen në vazhdime.

Drama vazhdoi edhe në pesë minutat shtesë, ndërsa as kjo kohë nuk mjaftoi që skuadrat ta mposhtin njëra tjetrën.

Vetëm 20 sekonda para fundit, Prishtina ishte në epërsi prej dy pikëve, 76-78, derisa Granit Rugova me dy shënime të sakta nga gjuajtja e lirë e barazoi rezultatin për 78-78, rezultat ky me të cilin përfundoi edhe vazhdimi i parë.

Në 5 minutëshin e dytë të vazhdimeve Prishtina u hendikepua edhe më shumë, pasi Jason Washburn dhe Gerti Shima u larguan për shkak të pesë gabimeve personale, ndërsa këtë e shfrytëzoi Bashkimi duke shënuar në fund fitore me rezultat 88-86.

Granit Rugova dhe Rokas Uzas ishin koshashënuesit më të mirë në këtë fitore të Bashkimit me 24 pikë secili, derisa një më shumë se ta shënoi Dardan Berisha.

Vlen të ceket se gjatë këtyre 50 minutave lojë, te Bashkimi u paraqitën vetëm gjashtë lojtarë, derisa tre prej tyre (Bussey-Rugova-Uzas) nuk u zëvendësuan për asnjë çast, duke mbetur gjatë gjithë kohës në fushë, sikurse edhe Dardan Berisha nga ana e bardhekaltërve që ishte i pazëvendësueshëm.

Tani seria gjysmëfinale është barazuar në 1-1, ndërsa ndeshja e radhës do të luhet përsëri në Prizren.

Exit mobile version