Telegrafi

Bashkimi Evropian i kujton Siljanovskës se marrëveshjet aktuale duhet të respektohen

Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për faktin që presidentja e re, Gordana Siljanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit gjatë ceremonisë së betimit, njoftoi Shërbimi për Punë të Jashtme të BE-së (EEAS), përcjell Telegrafi Maqedoni.

Lexo po ashtu Betohet Gordana Siljanovska, nuk e tha emrin kushtetues “Maqedonia e Veriut”

“BE rikujton rëndësinë e përputhshmërisë së plotë me marrëveshjet ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, thuhet në deklaratën e EEAS.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dje përmes rrjetit social “X” tha se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me anëtarësimin në BE duke zbatuar reformat dhe duke respektuar marrëveshjet e lidhura, përfshirë atë të Prespës.

“Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është më e rëndësishme që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, ​​ka shkruar Ursula von der Leyen./Telegrafi/