Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian arritën sot një marrëveshje për futjen e një karikuesi të vetëm për telefonat celularë, tabletët dhe kamerat, të cilit prodhuesit e telefonave dhe tabletave do t’i përshtaten deri në vitin 2024.
Plani, i cili u prezantua vitin e kaluar, u miratua sot dhe sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, do t’i kursejë konsumatorit rreth 250 milionë dollarë në vit.
“Prodhuesit e telefonave dhe tabletave do të duhet të respektojnë këto rregulla deri në vjeshtën e vitit 2024. Prodhuesit e laptopëve do të kenë më shumë kohë për të ndryshuar, më saktë 40 muaj pas hyrjes në fuqi të rregullave të reja”, sipas Bloomberg.
Komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së, Thierry Breton tha se konsumatorët evropianë do të jenë në gjendje të përdorin një karikues për të gjitha pajisjet elektronike portative.
We have a deal on the #CommonCharger! 🇪🇺
More savings for EU consumers & less waste for the planet:
🔌 mobile phones, tablets, cameras… will have #USBtypeC
🔌 harmonised fast-charging technology
🔌 unbundling of sale of chargers
The EU general interest has prevailed! pic.twitter.com/i2UAE7kzyI
— Thierry Breton (@ThierryBreton) June 7, 2022
“Konsumatorët evropianë do të jenë në gjendje të përdorin një karikues për të gjithë pajisjet e tyre elektronike portative, që është një hap i rëndësishëm në rritjen e komoditetit dhe reduktimin e mbetjeve”, tha Breton.
Me këtë plan të miratuar nga Komisioni Evropian, kompanitë si Apple do të detyrohen të përshtatin pajisjet e tyre me të ashtuquajturat lidhëset USB-C, të cilat përdoren kryesisht nga pajisjet Android.
Negociatori i Parlamentit Evropian, Alex Saliba tha se Komisioni Evropian do të vendosë standarde për karikimin me valë në të ardhmen.
“Bashkimi Evropian nuk dëshiron të jetë në një situatë ku do të miratojë ligje për një treg që në thelb po shuhet”, tha Saliba.
Sipas njoftimeve të Parlamentit Evropian, po prezantohen karikues unik për celularët, tabletët, e-lexuesit, kufjet, kamerat dixhitale, konzolat e videolojërave dhe altoparlantët portativë. /Telegrafi/