16.8 milionë persona në vendet e Bashkimit Evropian, prej të cilëve 13.38 milionë persona në Eurozonë ishin të papunë gjatë muajit korrik 2018. Në krahasim me muajin qershor 2018, numri i personave të papunë në vendet e BE-së u zvogëlua me 82 mijë dhe 73 mijë në Eurozonë. Ndërsa, krahasuar me muajin korrik 2017 papunësia ra me 1.95 milionë në vendet e BE-së dhe me 1.37 milionë në Eurozonë.
Sipas Eurostat, përcjell Telegrafi, në muajin korrik 2018 norma e papunësisë në Eurozonë ishte 8.2 për qind, një normë më e qëndrueshme në krahasim me muajin qershor 2018 dhe kjo është norma më e ulët e regjistruar që nga nëntori i vitit 2008.
Norma e papunësisë në vendet e Bashkimit Evropian gjatë muajit korrik 2018 ishte 6.8 për qind nga 6.9 për qind në muajin qershor 2018 dhe nga 7.6 për qind në muajin korrik 2017 dhe kjo është shkalla më e ulët e regjistruar në këto vende që nga prilli i 2008-së.
Në mesin e vendeve anëtare të BE-së, norma më e ulët e papunësisë u regjistrua në Çeki me 2.3 për qind, pasuar nga Gjermania me 3.4 për qind dhe Polonia me 3.5 për qind. Kurse, norma më e lartë e papunësisë është vërejtur në Greqi me 19.5 për qind dhe Spanjë me 15.1 për qind. /Telegrafi/