Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet është zhvilluar ndeshja e parë e serisë finale të ‘play-offit’, ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bashkimit, ku ekipi nga Prizreni doli fitues (81-84).
Skuadra mysafire e nisi më mirë sfidën duke e fituar çerekun e parë me pesë pikë epërsi (22:27).
Akoma më bindëse ishte paraqitja e prizrenasve në dhjetëminutëshin e dytë, në të cilin i shënuan 21 pikë kundrejt nëntë pikëve të vendasve (9:21) dhe shkuan në pushim me avantazh të lartë (31-48).
Në çerekun e tretë, bardhekaltrit tentuan të riktheheshin në lojë dhe shënuan dy pikë më shumë se kundërshtari (23:21).
Një paraqitje shumë të mirë nikoqirët bënë në fillim të pjesëlojës së fundit duke i shënuar 15 pikë në seri pa pranuar asnjë. Tri treshe rresht nga Filip Bundovic ishin vendimtare në këtë rikthim.
Megjithatë, Bashkimi u rikthye për të mbajtur epërsinë dhe përkundër se e humbi çerekun e fundit (27:15), e fitoi ndeshjen me tri pikë epërsi (81-84).
Ndeshja e dytë e serisë finale zhvillohet në palestrën “Rexhai Surroi” në Prizren dhe kësaj radhe, Bashkimi do ta ketë edhe epërsinë e terrenit vendas dhe mbështetjen e tifozëve. /Telegrafi/