Telegrafi

Bashkimi dhe Prishtina do të takohen të shtunën

Ndeshja e mbetur e xhiros së XX në Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Sigal Prishtinës do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 19:00 në palestrën e sportit “Sezai Surroi” në Prizren.

Këto dy skuadra janë takuar dy herë gjatë edicionit 2015/16 në elitën e basketbollit kosovar, ku në duelin e parë pati triumfuar Sigal Prishtina me shifrat 67:55 si mysafire, kurse më pas fitore ka regjistruar në kryeqytet Bashkimi me rezultat 77:70.

Bardhekaltrit dhe portokallinjtë janë takuar edhe një herë në këtë edicion, në kuadër të gjysmëfinales së Turneut Final të Kupës së Kosovës, kur pati triumfuar Sigal Prishtina, e cila më pas është stolisur edhe me trofeun e kupës duke e mposhtur në një finale dramatike Pejën.