Telegrafi

Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjeve

Bashkia e Tiranës ka shtruar drekën e Krishtlindjes për të moshuar dhe njerëz në nevojë që frekuentojnë mensat sociale.

Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj jo vetëm që u shërbeu të moshuarve por dha dhe një mesazh nga mensa sociale në Kombinat për të gjithë.

“Dita e Krishtlindjes, dita kur dashuria e mund urrejtjen, kur shpresa e mund frikën, kur drita e mund errësirën dhe unë besoj se në qytetin tonë, qytet me 1 milionë vetë, qytet hallemadh, por kur ka dashuri, kur ka mirësi, kur ka vullnet ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Ndaj më vjen mirë që u bë 2 vjet e gjysmë që qendrat tona sociale funksionojnë me ritëm të plotë, që kemi jo vetëm një vend për të kaluar një vakt, por edhe në vend për të pasur një shok, një shoqe, edhe një vend tjetër për të pasur pranë dikë për të qarë një hall, për të kujtuar, për të kërkuar ndihmë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Kryetari i bashkisë i ftoi qytetarët e Tiranës të jenë solidarë dhe të ndimojnë dikë me mundësi më të pakta, shkruan Top Channel.

“Në 2018, nëse çdo shqiptar, çdo tiranas që është në gjendje, të ndihmojë një fqinj, një komshi, që mund të jetë solidar me dikë që është në nevojë, besoj që mund të kemi një qytet të mrekullueshëm”, tha ai.