Këshilli i Bashkisë së Shkupit sot në seancë do të debatojë për masat afatshkurtra për uljen e ndotjes së ajrit në rajonin e kryeqytetit.
Masat kanë të bëjnë me ndalesën e lëvizjes së automjeteve deri në Vodnon e Mesme dhe për transportin publik falas në ditët kur është tejkaluar pragu i substancave të ndotjes në ajër, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ndalesa për automjete deri në Vodnon e Mesme, sipas paralajmërimeve, duhet që të vendoset këtë fundjavë. Planifikohet vendosja e dy linjave provë të autobusëve, respektivisht linjën nr. 25 deri në Vodnon e Mesme dhe linjën me nr. 28 deri në parkingun tek manastiri “Shën Pantejlemoni”.
Vendimi për ndalimin e automjeteve deri në Vodnon e Mesme, siç deklaroi para pak kohësh kryebashkiaku i Shkupit, Petre Shilegov, pason pas ankesave të qytetarëve në rrjetet sociale.
Transporti publik falas do të vendoset në ditët kur tejkalohet pragu alarmues i substancave ndotëse në ajrin ambiental në rajonin e Bashkisë së Shkupit. Në këtë rast, kryebashkiaku me vendim do të konfirmojë kohëzgjatjen e transportit publik falas. Mjetet për transportin publik falas do të sigurohet nga Buxheti i Bashkisë./Telegrafi/