Bashkia e Shkupit përmes një njoftimi për media ka dhënë detaje në lidhje me autobusin numër 5 të Ndërmarrjes Transportuese Publike, i cili sot u përfshi nga flakët.
Nga Bashkia e Shkupit thonë se në shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë gjashtë zjarrfikës, përcjell Telegrafi Maqedoni.
““Sipas dëshmisë së shoferit, njëri nga udhëtarët që ka qenë në katin e dytë ka alarmuar se është paraqitur tym. Shoferi menjëherë ka ndaluar autobusin më pas kanë zdrypur udhëtarët. Ai ka tentuar ta shuaj zjarrin vetë, por pa sukses. Më pas ka thirrur zjarrfikësit të cilët kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Shkupit.
Ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë Petre Shilegov. Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se zjarrfikësit në vendin e ngjarjes kanë arritur për më pak se 5 minuta.
“Më e rëndësishmja është se nuk e kemi asnjë udhëtar të lënduar. Drejtuesi i autobusit Ivica Petrushevski në kohë i ka evakuuar të gjithë udhëtarët dhe ka filluar ta shuaj zjarrin me aparatet kundër zjarrit. Zjarrfikësit kanë arritur për më pak se 5 minuta. Zjarri është shuar. Respekt për drejtuesin e autobusit dhe zjarrfikësit”, shkroi Shilegov./Telegrafi/