Nga ju varet, vendimi është i qytetarëve, referendumi është mundësi historike për vendin, e cila nuk vjen secilën ditë, përkrahje për suksesin e shprehjes plebishitare të qytetarëve.
Këto janë një pjesë e mesazheve gjatë ditëve të kaluara të aktiviteteve të intensifikuara diplomatike që e japin përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët e vizituan Maqedoninë në prag të referendumit të ardhshëm.
Në Shkup dje për herë të parë nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, para 25 viteve, në ditën e pavarësisë së Maqedonisë, kancelarja Angela Merkel vizitoi Maqedoninë. Ajo në konferencën e përbashkët me kryeministrin Zoran Zaev potencoi se vizita e saj dhe përkrahja për referendumin e ardhshëm dhe marrëveshja e Prespës në vete nuk përmbajnë elemente të kërcënuese ose ndonjë presion me qëllim që të ndikojë ndaj qytetarëve të Maqedonisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Askush nuk ju kërcënohet qytetarëve të Maqedonisë me izolim. Ata mund dhe duhet vet të vendosin për të ardhmen e shtetit. E ardhmja mund të jetë anëtarësimi në NATO dhe BE, nëse keni sukses në referendumin e 30 shtatorit. Por, sigurisht se ka parakushte të caktuara që duhet plotësuar”, tha dje kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Ajo doli me mesazh të qarë politik – “Mos mbeteni në shtëpi më 30 shtator, në këtë ditë historike. Shfrytëzojeni mundësinë dhe thoni se çfarë ardhmërie dëshironi”.
Në kuadër të vizitave për referendumin e 30 shtatorit përveç Merkelit, nga bashkësia ndërkombëtare Maqedoninë tashmë e kanë vizituar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Jean Asselborn, dhe kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz./Telegrafi/