Telegrafi

Deklaroi se Policia e Kosovës ka sulmuar serbët në veri, vjen reagimi kundër Petkoviqit: Po shpërndanë dezinformata, askush nuk i ka ndjekur

Lidhur me deklaratën e djeshme të drejtorit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, se “policia e [Albin] Kurtit ka tentuar disa arrestime në lagjen e bonjakëve” në veri të Mitrovicës, siç ka thënë ai, “kanë tentuar të arrestojnë dy vëllezërit, Goran dhe Vlada Vuçetiq, në qendër të qytetit, e më pas edhe Miroslav Zhivkoviqin”, bashkëshortja e këtij të fundit, Jelena Zhivkoviq ka deklaruar dhe e ka mohuar me një video mesazh këtë informacion.

Në video-mesazh, Zhivkoviq pyet se nga i ka marrë Petkoviqi një informacion të tillë që dikush po e ndiqte burrin e saj dhe i kërkon atij që t’i drejtohet personalisht dhe t’i tregojë.

“Unë jam Jelena Zhivkoviq, bashkëshortja e të emëruarit të sotëm Miroslav Zhivkoviq të cilin Petar Petkoviq e ka përmendur në deklaratën e tij që e ka dhënë në ora 10:00. Dua të them se nuk e di nga e ka marrë Petkoviqi informacionin se dikush po e ndiqte burrin tim. Burri im ka qenë me familjen mbrëmë, në shtëpi, askush nuk na ka ardhur në derë, as nuk e ka ndjekur”, pohon Zhivkoviq.

“Nga e ka marrë Pekoviqi një informacion të tillë? Unë dua që ai të na drejtohet dhe të na thotë këtë. Edhe për djemtë Vuçetiq, Goran dhe Vlladan, të cilët i ka emëruar, kam folur sot me ta, djemtë kanë qenë nëpër qytet, ecnin, askush nuk i ka ndjekur”, pyet ajo.

Kujtojmë se Petkoviq, gjatë të shtunës në një konferencë për shtyp kishte deklaruar se në pjesën veriore të Mitrovicës veriore “ka pasur një gjendje të vërtetë rrethimi”.

Sipas fjalëve të tij, “mbrëmë, forcat speciale ROSU erdhën nga pjesa jugore e Mitrovicës me mbi 30 automjete të blinduara, të veshura me maska, me tuba të gjatë dhe maltretuan tërë Mitrovicën e Veriut”.

Lexo po ashtu Policia demanton raportimet për rrahjen e dy të rinjve serbë në veri

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka mohuar deklarimet e ndryshme se ka rrahur dy të rinj në veri të vendit.

Nuk është hera e parë që Petkoviq shpërndan dezinformata për situatën në Kosovë. /GP/