Site icon Telegrafi

Bashkëshortja e ish-komandantit Agim Ramadani: Ai ka luftuar për një Shqipëri të bashkuar, tash po shoh përçarje

Bashkëshortja e ish-komandantit, Agim Ramadani, Shukrije Ramadani, ka thënë se ish-komandanti i donte shumë festat e nëntorit.

E pyetur nëse amaneti i ish-komandatit Agim Ramadani dhe të gjithë tjerëve ka shkuar në vend, Shukrije Ramadani ka thënë se tashmë po e sheh një përçarje më të madhe mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe pse siç është shprehur ajo, Agim Ramadani dhe gjithë heronjtë e kombit kanë luftuar për një Shqipëri të bashkuar.

“Agim Ramadani dhe gjithë heronjtë e kombit kanë luftuar për një Shqipëri të bashkuar. Mua më dhemb se tani pas 25 viteve po e shoh një përçarje më të madhe mes neve dhe Shqipërisë, më dhemb shumë. Ngaqë ëndrra jo vetëm e kësaj gjenerate, jo vetëm e kësaj lufte ishte bashkimi me Shqipërinë, ka qenë e shumë brezave të mëhershëm. Dhe ne sot ta shkelim këtë ëndërr duke menduar se nuk na vlen, kjo është e papranueshme për mua”, ka thënë Shukrije Ramandani, bashkëshorte e ish-komandantit, Agim Ramadani.

Shukrije Ramadani ka treguar se gjatë kohës kur ishin në diasporë ish-komandanti bënte organizime ku mblidhte të rinjtë e flisnin mbi moralin luftarak që duhet të kenë të gjithë shqiptarët.

“Edhe pse çdo herë ishim të mallëngjyer ngaqë pasi u rritëm dolëm jashtë shtetit, ishin festa të mallëngjyeshme, ishin festa në okupim por neve në diasporë na bënin bashkë, kishim organizime të shumta që mblidhnim të rinjtë dhe të rejat. Flisnim mbi moralin luftarak që duhet të kenë të gjithë shqiptarët dhe vërtetë ishte ajo energjia që na bashkonte dhe na bënte që çdo herë të jemi më të bashkuar, andaj kishte shumë qejf që të organizonte që të mblidheshim sa më shumë”, ka thënë Shukrije Ramadani.

Gruaja e ish-komandantit ka thënë se më 28 nëntor 1997, kur ishte dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ishin momentet më emocionuese që kishin përjetuar në atë kohë.

“Ne prisnim që do të bëhej diçka e tillë, por që të dilnin ashtu përnjëherë në skenë UÇK-ja, të fliste para një popullate aq të madhe, të na fliste edhe neve që ishim jashtë atdheut, për neve ishte kulmi i një të arriture shumë të madhe dhe një përgatitje shumë të gjatë që ishte bërë më herët. Aty e kuptuam se lufta veçse filloi dhe të gjithë duhet të jemi të gatshëm për t’iu përgjigjur asaj lufte”, ka thënë Ramadani.

Ajo tregon se në ato momente ish-komandanti Agim Ramadani, “sikur prekte qiellin”, sepse kishte thënë se tashmë filloi, derisa thekson dhe se është e lumtur që Agim Ramadani iu bashkëngjit UÇK-së me kohë.

Shukrije Ramadani ka rrëfyer se ish-komandanti ishte shumë motivues, sa nuk kishte ndonjë gjasë që ai të largohej nga lufta. Ndërsa për parullën që ai kishte, “Ejani pas meje”, gruaja e ish-komandantit ka theksuar se kjo tregon se ish-komandanti ishte i gatshëm që në çdo moment të vdiste para çdo ushtari dhe ta jepte shpirtin e tij për Kosovën.

“Gjeneratat e reja nuk e dinë sa kemi vuajtur nën okupim, nuk e dinë sa momente të tmerrshme kemi kaluar si nxënës kur në klasë na ka nxjerrë ‘zhag’ policia sekrete e UDB-ës, nuk i dinë momente kur tanket na kanë ecur nëpër rrugët e qytetit, nuk i dinë momentet e orës policore, dhunës serbe…Prandaj për ta sot është sikur një përrallë që e dëgjojnë nga ne dhe është e çuditshme”, është shprehur mes tjerash, bashkëshortja e ish-komandantit, Agim Ramadani, Shukrije Ramadani.

Exit mobile version