Nuk janë të pakta tashmë rastet kur stilistët e njohur vendorë arrijnë që me punën e tyre, të dalin jashtë kufijve.
Njëra ndër to është dizajnerja e njohur kosovare, Lia Stublla, e cila tashmë ka veshur disa emra të njohur ndërkombëtarë.
Një nga të fundit është këngëtarja e njohur spanjolle, Edurne, e cila njëherësh është edhe bashkëshortja e futbollistit të njohur, David de Gea, i cili mbron për skuadrën e Manchester United.
Ajo ka qenë prezente të premten në evenimentin e madh të ndarjes së çmimeve, LOS40 Music Awards, i cili u mbajt në Madrid të Spanjës.
Edurne është shfaqur tejet elegante në tapetin e kuq të mbrëmjes, veshur me një fustan të shkurtër argjenti, plot shkëlqim të stiluar nga dizajnerja kosovare.
Ka qenë vet këngëtarja e famshme spanjolle, ajo e cila në disa fotografi të publikuar nga ngjarje në Instagram, ka falënderuar Lian që u kujdes për dukjen e saj në këtë natë.
Edurne përndryshe është një këngëtare shumë e njohur në Spanjë, dhe e njëjta ka përfaqësuar vendin e saj në “Eurovision” në vitin 2015, me këngën “Amanecer”.
LOS40 Music Awards përndryshe shpërbleu me dy çmime të rëndësishme dy shqiptare: Ava Max në kategorinë “Kënga më e mirë ndërkombëtare”, dhe Rita Orën në kategorinë “Videoja më e mirë muzikore e vitit”, për këngën “RIP” në bashkëpunim me Sofia Reyes dhe Anitta. /Telegrafi/