Telegrafi

Bashkëpunimi i shumëpritur mes Bebe Rexhës dhe David Guettas “Blue” lansohet të premten

Foto: Getty / Tristan Fewings/MTV 2018

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, kohë më parë ngacmoi fansat duke publikuar një video në rrjetin social TikTok.

Video u shoqërua me një demo të këngës “Blue”, që ajo kishte nisur ta realizonte në bashkëpunim me David Guetta.

Demo në fjalë shpjet u bë një prej këngëve më të kërkuara në aplikacionin Shazam dhe fansa të shumtë nisën me ngulm që ta kërkojnë publikimin e saj të plotë.

Foto: Daniele Venturelli/Daniele Venturelli/WireImage

“Videoja e interpretimit të Bebe Rexhës me remiksin e papublikuar ‘Blue’ me David Guettan ka tejkaluar shifrën e gjashtë milionë shikimeve. Ka qenë në kërkimet e Shazamit në afro 20 shtete në mbarë botën”, shkruhej në një postim në Twitter të cilin e shpërndau edhe Bebe Rexha në llogarinë e saj.

Me sa duket kjo ka bërë që të dy artistët të binden dhe tashmë të finalizojnë projektin e shumëpritur, i cili tashmë ka një datë të lansimit.

Përmes llogarive të tyre në rrjetet sociale përkatëse, ylli shqiptar dhe DJ i famshëm kanë njoftuar që kënga “Blue” lansohet të premten (26 gusht).

Lexo po ashtu Bebe Rexha vazhdon ta shijojë lidhjen me producentin amerikan Keyan Safyari - çifti nuk përmbahen as në publik

“I’m Good (Blue) po vjen më 26 gusht”, ka shkruar Bebe sipër një video të shkurtër ku shihet në studio.

Në anën tjetër dhe Guetta e ka konfirmuar publikimin e bashkëpunimit përmes një postimi në Twitter ku shkruan: “I’m Good (Blue) me Bebe Rexhën pothuajse është përfunduar, po e lansojmë këtë të premte”. /Telegrafi/