Telegrafi

Bashkëpunim me narkotrafikantë, arrestohet shefi i komisariatit të Laçit

Në Shqipëri, hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme çuan në arrestimin e shefit të Komisariatit të Laçit Dritan Metaj, nën dyshimet e bashkëpunimit me një grup kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Në kërkim janë shpallur dhe tre persona të tjerë, mes të cilëve Gëzim Çelaj, një personazh i njohur i botës së krimit, i dënuar për trafik droge dhe jashtë Shqipërisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, tha të hënën pasdite në një konferencë shtypi se urdhërat e arrestit të lëshuar me vendim të Gjykatës së Posaçme, janë “për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Për tre personat në kërkim, drejtori Rrumbullaku deklaroi se “Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, po punon intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre, pasi nga informacionet dhe verifikimet e deritanishme rezulton se këta 3 shtetas janë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Me vendim të Gjykatës së posaçme është urdhëruar dhe sekuestrimi i pasurive të tyre dhe personave të lidhur me ta “duke përfshirë shoqërinë tregëtare, automjete, mjete lundruese dhe asete të tjera”.

Urdhërat e arrestit të lëshuar nga Gjykata, pasojnë një operacion të zhvilluar në mesin e muajit gusht nga Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, Guardia di Finanza-n italiane dhe , zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe FRONTEX-in, kur u konstatua lëvizja e një mjeti lundrues të shpejtë, nga laguna e Patokut, në drejtimin jug-perëndim. Ky mjet kontaktoi në det, në një distancë 12 milje, një tjetër mjet lundrues tip Velierë, për të shkëmbyer lëndë narkotike. Dy ukrainas, që ndodheshin në velierë, i vunë zjarrin mjetit lundrues kur panë afrimin e policisë dhe me një barkë të vogël shpëtimi, tentuan të largohen, por pa rezultat.

Përveç dy ukrainasve, u arrestuan dhe shqiptarë, mes të cilëve dhe një nip i Gëzim Çelës, ndërsa u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, një shumë e madhe parash, në valuta të ndryshme, 25 celularë dhe sende të tjera. /Telegrafi/