Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar të martën se tashmë bashkëkombësit si dhe shtetasit e huaj mund të fitojnë të drejtën e pronësisë mbi pronat e paluajtshme në Republikën e Kosovës.
Këtë njoftim ajo e ka bërë në llogarinë e saj në Facebook, ku ka treguar se e ka nënshkruar Rregulloren për Procedurën e Përcaktimit dhe Verifikimit të Reciprocitetit.
“Nga sot, me nënshkrimin e Rregullores për Procedurën e Përcaktimit dhe Verifikimit të Reciprocitetit, bashkëkombësit tanë të cilët duan të fitojnë të drejtën e pronësisë mbi pronat e paluajtshme, por edhe investitorët e huaj e subjektet tjera, do të mund ta realizojnë këtë të drejtë pranë autoritetit kompetent sipas rregullave të përcaktuara me këtë akt nënligjor”, ka shkruar Haxhiu.
Tutje, ministrja ka thënë se e drejta për posedim të pronës tashmë po rregullohet asisoj në mënyrë që të mos privohen bashkatdhetarët dhe në anën tjetër të krijohen kushte më të përshtatshme për investitorët nga jashtë. /Telegrafi/