Migjen Basha, ylli i Kombëtares shqiptare, e njeh më së miri trajneri i Italisë, Gianpiero Ventura, me të cilin ka punuar për katër sezone te skuadra e Torinos.
Mesfushori i Barit në konferencën për media nuk e fsheh mirënjohjen për tashmë ish trajnerin, Ventura, ndërsa zbulon edhe atë çfarë duhet të presë Kombëtarja për duelin e 24 marsit në Palermo.
“Kur arrita në Torino ishte trajner Ventura. Nga Seria B u ngjitëm në A dhe vetëm sezonin e dytë u kualifikuam në Europa League. Aty shihet puna e mirë që Ventura ka bërë me lojtarë si mua, Darmian apo Immobile. Këtë ia kam borxh trajnerit dhe dua ta falënderoj sepse për ato vite të mira të karrierës”, ka deklaruar Basha, transmeton infokusi.
“Ventura është një trajner që i pëlqen ta sulmojë kundërshtarin. Duhet të shohim edhe formacionin që ai do të përdorë. Nëse luan 4-4-2 këto janë lëvizje që i bënte edhe te Torino, por me lojtarët që ka në dispozicion Italia mund të na krijojë probleme”, ka theksuar ai.
Diskutimet për taktikat e përdoruara nga Ventura, Migjen Basha i ka ndarë edhe me trajnerin De Biasi, ndërsa megjithë vlerësimin për trajnerin kundërshtar, beson se Shqipëria mund ta vendosë në vështirësi Italinë.
“Kemi biseduar me De Biasin dhe më ka pyetur për disa gjëra, për mënyrën si luanim në Torino. Ventura është një trajner që mund të ndryshojë sistemin e lojës, lojtarët apo zgjidhjet dhe duhet të kemi kujdes. Kur e ke përballë një skuadër si Italia duhet të kesh kujdes nga të gjithë”, tha Basha.
“Nga mbrojtja, te mesfusha dhe te sulmuesit e tyre. Duhet të sakrifikohemi të gjithë. Në disa ndeshje jemi mbrojtur mirë dhe kemi kundërsulmuar. Kjo është forca jonë dhe kështu mund ta vendosim Italinë në vështirësi.”, shtoi ai.