Telegrafi

Basha: Treshja Rama-Berisha-Meta, mbetje të tranzicionit 30-vjeçar

Në një takim me strukturat e Degës 14 të Partisë Demokratikë në Tiranë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta, duke i quajtur “mbetje të tranzicionit 30-vjeçar”.

“Shikoni si kanë dalë hapur, hapur fare. Atë që ua kam thënë, sa muaj ka që ua kam thënë? Nuk bëhet fjalë për luftë, për parime, bëhet fjalë për hallin që i lidh bashkë. Halli që i lidh bashkë këta të tre është që janë mbetjet e tranzicionit 30-vjeçar, është që shqiptarët e kanë kuptuar instrumentin e politikës së tyre të vjetër, që është premto, mos bëj, pastaj justifiko, gënje, e premto prapë. Ja, vijnë paketë. Paketë kanë ardhur të 3”, theksoi Basha në një njoftim për shtyp, të publikuar në faqen zyrtare të PD-së.

Basha tha gjithashtu se sulmi i Berishës kundër demokratëve u bë për t’i dorëzuar PD-në Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Ilir Metës. “E gjitha kjo për çfarë paska qenë? Për t’i dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës?! Gjithë ajo skenë barbare atje e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve, për çfarë paska qenë? Që shtëpia e lirisë të kthehet në shtëpinë e Ilirit?!” ka thëne Basha.

Ndër të tjera, kryetari i opozitës u shpreh se zgjedhjet lokale te vitit 2019 nuk ishin një proces normal votimi. “Ju e dini që në 30 qershor 2019 nuk pati një proces normal votimi. Pati votime si në komunizëm, një parti që vetë votuan, vetë numëruan dhe iu desh 2 muaj për të nxjerrë rezultatin, imagjinoni. Dhe prapë iu dolën 4-5 me rekorde kriminale, që kanë ikur. Dhe tani për shkak të këtyre, gjetën sebep për procesin e 6 Marsit”, tha Basha.

Sipas kryetarit të PD-së, demokratët janë bashkuar për opozitarizëm pa kompromis kundër Edi Ramës dhe për vlerat euro-atlantike, dhe në këtë betejë ka ftesë për gjithë shqiptarët e ndershëm.

Ndërkohe, një ditë më parë, LSI i dërgoj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrimin e koalicionit të ri “Shtëpia e Lirisë”, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit në 6 bashki të vendit, duke zyrtarizuar kështu pjesëmarrjen e saj.

Sipas dokumentit, koalicioni përbëhet nga PD- Komisioni i përkohshëm i Rithemelimit, LSI dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës. Sipas dokumentit të nënshkruar nga sekretari i Përgjithshëm i partisë, Ermal Brahimllari, shkronjat nistore të koalicionit do të jenë SH-L. /Telegrafi/