Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha përmes një postimi në faqen e tij në Facebook ka shprehur keqardhjen për vendimit e SHBA për të shpallur ‘non grata’ ish-kryeministrin Sali Berisha.
Basha thotë se Berisha është udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta.
“Gjatë kohës që z. Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte. Në të gjitha këto arritje partner kyç i Qeverisë Shqiptare ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shprehet Basha.
Sipas kryedemokratit, vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cenon arritjet e Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës dhe marrëdhënien e mëtejshme të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar.
Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, shkruan Basha.
Këtë e ka bërë të ditur sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken në një postim në Twitter.
Berisha përmes një reagimi në Facebook, ka ftuar sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken që të publikojë faktet e dokumentet mbi të cilat është bazuar vendimi.