Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, kryetari Lulzim Basha është përqendruar gjatë në mohimin e lajmeve se është një arritur një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama për zgjidhjen e krizës.
Basha ka deklaruar përpara anëtarëve të forumit më të lartë të PD-së se këto pretendime janë dezinformim dhe thashetheme që përdoren nga kryeministri Rama.
“Nuk ka asnjë negociatë me Edi Ramën. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me Edi Ramën. Nuk ka as ndërmjetës dhe as kanale të fshehta mes meje dhe Edi Ramës”, raportohet të jetë shprehur kreu i PD-së.
“Ka dy gjëra që duhet t’i dini qartësisht: 1-Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm i yni. Kjo nuk ka ndryshuar. 2-Dalja para drejtësisë e të gjithë atyre që vodhën votat tona, votat e shqiptarëve është kusht i panegociueshëm”, ka shtuar ai.
Sipas Bashës, këto dy pika qëndrojnë në themel të kërkesave të opozitës, ndaj ka kërkuar nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të sqarojnë çdo demokrat dhe çdo qytetar që të mos bien pre e propagandës së Edi Ramës.
“Ne nuk dolëm nga Kuvendi për të bërë pazar. Ne nuk bojkotuam zgjedhjet lokale për të bërë pazar. Ne nuk kemi shpallur largimin e Ramës për t’u ulur me të në tavolinë. Do të ishte çmenduri dhe nuk do të sillte asgjë të mirë për vendin”, ka thënë kryeopozitari./tch/