Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin për presion mbi drejtësinë. Në një deklaratë për mediat sot pas vendimit për ndryshimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun e Kavajës dhe kthimin në detyrë të kreut të Policisë së Shtetit, Çako, Basha tha se gjyqësorit i është bërë presion.
“Sot është një ditë kritike për vendin, sepse çdo mundësi për të patur një hetim të pavarur ndaj një krimi ka rënë. Ka rënë sepse është shteti i përfshirë, me kufje kriminale në vesh duke përgjuar opozitën, biznesmenët, bankierët dhe ambasadorët. Krimi pranohet nga vetë Çako dhe Tahiri, ndërsa drejtësia nuk pranohet. Pse? Sepse Edi Rama është i përfshirë”, ka deklaruar Basha.
Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në rastin e Elvis Rroshit, Basha tha se ai u lirua si miku i kryeministrit.
“Ai duhej lënë të kthehej në shtëpi, ndryshe çdo gjyqtar do të ishte përballur me hakmarrjen e Edi Ramës. Kjo është drejtësia që do Rama, një drejtësi që nuk heton, por mbron krimin që bën Edi Rama. Imagjinoni sikur t’i bëjë zap gjykatat me draftin që ka në dorë”, tha kreu i PD-së. /Telegrafi/