Telegrafi

Basha pranon humbjen në zgjedhje: 6 marsi ishte një mësim i madh

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u tërhoq nga deklarata e tij pas zgjedhjeve lokale se nuk kishte humbur asnjëherë. Deklarata krijoi një zemëratë të madhe mes demokratëve.

Në një deklaratë për gazetarët sot, Basha pranoi humbjen në zgjedhjet e 6 marsit, ndërsa theksoi se është i gatshëm të ndërmarrë çdo hap që PD-ja të dalë nga kjo situatë.

“Kemi filluar konsultimet për një reflektim të thellë për humbjen e 6 marsit. Pa diskutim që do të marrim përgjegjësitë duke filluar nga unë i pari”, ka shtuar Basha.

Lexo po ashtu Grida Duma dorëhiqet nga posti i nënkryetares së PD-së: Nuk ka reflektim nga Basha

“Ne jemi në një proces reflektimi. Në radhë të parë, duhet të respektojmë njerëzit që kanë mendimet e tyre. Ky proces do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. Synimi është interesi më i mirë i demokratëve. Unë jam gati të bëj çdo gjë në interesin më të mirë të Partisë Demokratike”, thekson Basha.

“Ju siguroj që demokratët do të marrin në dorë fatin e tyre. PD-ja do të dalë e fortë dhe e bashkuar. Detyra dhe përgjegjësia e parë është e imja. Unë jam i gatshëm të ndërmarrë çdo hap. 6 marsi ishte një mësim i madh”, tha Basha, raporton A2 CNN. /Telegrafi/