Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur për padinë që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka ngritur kryeministrit në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj.
Përmes një shkrimi në Facebook, Basha e ka quajtur antikombëtare padinë ndaj Haradinajt.
“Pseudo-padia e Edi Ramës ndaj kryeministrit të Kosovës është një perversitet i shëmtuar antikombëtar. Është turp i pakapërdishëm që Ramush Haradinaj, pas gjakut të tij dhe familjes së tij për çlirimin e Kosovës, pas betejave me akuzat e montuara të Beogradit, të përballet me pasojat e degjenerimit dhe vasalitetit të Edi Ramës”, tha kreu i PD-së.
Më tej Basha ka thënë se veprimi i Ramës është i ulët dhe duhet të refuzohet.
“Ky akt i ulët që na turpëron të gjithëve meriton refuzimin dhe revoltën legjitime ndaj një kryeministri të dështuar fund e krye dhe ndaj falimentimit të tij politik dhe moral para Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar,” shkruan Basha.
Ndërkaq, padia e Ramës është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe përmban mbi 30 faqe.
Padia pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve dhe tash Edi Rama kërkon kompensim të dëmit./Telegrafi/