Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha ka zhvilluar një lidhje live në Facebook para nisjes se seancës të posaçme dëgjimore nga Komisioni i Politikës së Jashtme dhe ai Çështjeve Europiane të Bundestagut gjerman.
Basha u shpreh: “Jemi në sallën e seancës së veçantë dëgjimore të mbledhjes së përbashkët të anëtarëve të komisionit për Çështjet Europiane, në një seancë dëgjimore. Këtu është edhe një nga audiencat më kritike për zgjerimin në tërësi dhe për Shqipërinë në veçanti”.
Sipas tij, “shqetësimet kryesore të grupit CDU-CSU në këtë komision kanë të bëjnë me luftën kundër drogës, me luftën kundër korrupsionit. Kanë të bëjnë me reformën në drejtësi dhe qëndrimi është skeptik sa i përket hapjes së negociatave. Kështu që detyra më e vështirë është të bindim këtë komision sot që nga njëra anë, problemet reale në Shqipëri që ekzistojnë dhe për të cilat ata kanë raportimet e tyre objektive dhe konkrete edhe nga agjencitë e ligjzbatimit dhe nga burime të tjera gjermane dhe europiane. Por që nga ana tjetër këto problem mund të luftohen më efektivisht me hapjen e negociatave dhe jo me mos hapjen e tyre dhe që opozita është e bashkuar në thirrjen e saj për të kërkuar hapjen e negociatave edhe si një mjet shtesë presioni dhe monitorimi për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. /Telegrafi/