Site icon Telegrafi

Basha me delegacionin e Kosovës në KiE: Hetimi i plotë i Basnjkës, i domosdoshëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, gjatë qëndrimit të tij në Këshillin e Evropës, ka zhvilluar një takim me delegacionin e Kosovës në këtë organizëm me të cilët ka ndarë vizionin e PD për mënyrën se si Shqipëria duhet të bashkëveprojë në aksionin për mbështetjen e Kosovës dhe anëtarësimit sa më parë të saj në Këshillin e Evropës.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha shkruan se sulmi terrorist i 24 shtatorit është një kambanë alarmi, pasi fsheh pas tij përpjekje për ndarjen e Kosovës.

Basha theksoi nevojën e një hetimi të plotë për të gjetur urdhëruesit shtetëror të kësaj ngjarjeje.

Postimi i plotë i kryetarit të PD:

Me ministren e jashtme të Kosovës, Donika Gervalla dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke diskutuar për një bashkëveprim të aksionit tonë në mbështetje të Kosovës dhe anëtarësimit sa më parë të saj në Këshillin e Evropës.

Detyra e Shqipërisë është të jetë në dispozicion dhe mbështetje të Kosovës me çfarë të ketë nevojë.

Asnjë vendim apo veprim pa koordinim me Kosovën.

Sulmi terrorist i 24 shtatorit është një kambanë alarmi për faktorin ndërkombëtarë pasi pas tij fshihet skenari i ndarjes “de fakto” i Kosovës.

Duke përdorur Beogradin, Moska po vë në jetë strategjinë e saj të destabilizimit dhe futjes në kaos të Ballkanit Perëndimor, duke minuar krahun Juglindor të NATO-s.

Një organizim i tillë dhe një armatim aq i sofistikuar do të ishte i pamundur pa përfshirjen e aktorëve shtetërorë. Prandaj është i domosdoshëm një hetim i plotë i kësaj ngjarje, planifikuesve dhe urdhëruesve të saj. /Telegrafi/

Exit mobile version