Site icon Telegrafi

Basha: Izolimi ndërkombëtar që po i bëhet Ramës po ndëshkon Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka denoncuar faktin se nga samiti i fundit BE-Ballkani Perëndimor, që u mbajt në Poznan të Polonisë, Edi Rama është i vetmi që doli pa asnjë mbështetje financiare.

“Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk përfitoi asnjë qindarkë nga 180 milionë eurot që Bashkimi Evropian u dha vendeve të Ballkanit për projekte kombëtare infrastrukturore, për vitin 2019”, shprehet Basha në një shënim në rrjetin social Facebook.

Sipas kreut të Opozitës, kjo vjen ngaqë:

“Është ndëshkim i qëllimshëm kundër një qeverie të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Është vazhdim i qëndrimit të prerë të vendeve të Bashkimit Europian për të mbajtur Shqipërinë jashtë çdo procesi afrimi për aq kohë sa në pushtet është Edi Rama. Qeveria Rama është e vetmja qeveri në 30 vjet tranzicion që nuk ka bërë asnjë hap të vetëm në procesin e integrimit evropian”.

Basha shprehet më tej, se kjo është shenjë e izolimit ndërkombëtar që po i bëhet Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

“Fatkeqësisht izolimi ndërkombëtar që po i bëhet qeverisë Rama po sjell pasoja direkte për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët po ndëshkohen për shkak të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin. Prandaj largimi i Ramës është një arritje që do të përmirësojë jetën e çdo shqiptari”.

Exit mobile version