Telegrafi

Barzagli: Pogba dhe Vidal u larguan ta fitonin LK-në, por Juve është në gjysmëfinale – ata nuk janë

Andrea Barzagli beson se Paul Pogba mund të zhgënjehet pasi vendosi të largohej nga Juventusi, për shkak të formës që po kalon Zonja e Vjetër këtë sezon dhe suksesit që mund të arrijë deri në fund.

Mesfushori francez nënshkroi për Manchester Unitedin për një shumë rekorde në verën e kaluar, mirëpo ka dështuar ta dëshmojë veten në Old Trafford deri më tani.

Nga ana tjetër, Bianconerët janë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve (kundër Monacos), luajnë në finale të Kupës së Italisë (kundër Lazios) dhe janë në rrugë për titullin e gjashtë radhazi të Serie A.

Lexo po ashtu Juve bindshëm marshon drejt titullit (Video)

“Ditë më parë pata një video-bisedë me Pogban. Ai ishte i lumtur që ne arritëm në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe po na mbështet. Kushdo që largohet nga ky ekip, gjithmonë do të jetë pjesë e tij. Fuqia jonë më e madhe në vitet e fundit ka qenë skuadra”.

“Nga ana tjetër, ai padyshim se do të dëshironte të ishte këtu. Por, ekzistojnë vendime që duhet të merren. Askush nuk pret që pasi largohet ta shohë skuadrën duke arritur në katër të fundit në Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Barzagli për Tuttosport.

E njëjta gjë vlen edhe për Arturo Vidal, i cili e braktisi Juventusin në vitin 2015 duke shkuar te Bayern Munichu që ta fitonte Ligën e Kampionëve, mirëpo këtë nuk e ka bërë akoma dhe këtë sezon u eliminua nga Real Madridi. /Telegrafi/