Ish-mesfushori i Burnleyt, Joey Barton beson se Liverpooli ka bërë mirë me shitjen e Philippe Coutinhos te Barcelona.
Të shtunën mbrëma u bë zyrtare shitja e Coutinhos te Barcelona për një shifër të raportuar prej 160 milionë eurosh, por edhe përkundër shumës së shitur, anglezët e kanë kryqëzuar Liverpoolin për shitjen e yllit brazilian.
Megjithatë, kështu nuk mendon edhe anglezi kontrovers, Barton, i cili beson se gjiganti anglez ka bërë një marrëveshje të mirë me shitjen e Coutinhos.
“Personalisht, unë mendoj se Liverpooli ka bërë marrëveshje të mirë”, ka shkruar fillimisht Barton në profilin e tij në Twitter.
“Shumë para për Coutinhon. A bën kjo që të pyesësh veten se sa duhet të vlejnë lojtarë si Kane, Hazard dhe Salah?”, ka thënë anglezi.
Mendimet e tij u përsëritën nga Frank Lampard në BT Sport, i cili mendon se Liverpooli arriti të marrë para të mira dhe tani duhet t’i investojë ato në vendin e duhur.
“Ata arritën të qojnë ofertën në 142 milionë funte në gjashtë muaj. Mendoj se ishte më shumë se në verë dhe mendoj se Liverpooli është mjaft e kënaqur me këtë”.
“Ata duhet të forcohen rreth kësaj shume nëse ata duan të jenë një ekip i kompletuar”, përfundoi Lampard. /Telegrafi/