Site icon Telegrafi

Bartomeu refuzoi të transferojë Alphonso Davies vetëm se ishte kanadez

Presidenti i Barcelonës, Jose Maria Bartomeu thuhet se ka refuzuar në të kaluarën transferimin e mbrojtësit fantastik të Bayern Munichut, Alphonso Davies.

Para se të shkonte te Bayern Munich, Alphonso Davies filloi të tregojë potencialin e tij të madh në Mayor League Soccer (MLS) me ekipin e Vancouver Whitecaps FC.

Paraqitjet e tij superiore kishin rënë në sytë e legjendës së Barcelonës, Hristo Stoichkov, i cili ia kishte propozuar presidentit Bartomeu.

Lexo po ashtu Klubi nga Championshipi ishte afër transferimit të Alphonso Davies për vetëm tre milionë funte në vitin 2017

Dhe siç zbulohet nga gazetari Luis Omar Tapia, bullgari Stoichkov pati disa takime me Bartomeun për ta njoftuar atë për futbollistin që kishte ‘zbuluar’ në MLS, por përgjigjja e të parit të Barcelonës ishte e qartë dhe refuzuese.

“Ai është kanadez, nuk më pëlqen ai, faleminderit”, thuhet të ketë deklaruar Bartomeu pas propozimit të Davies.

E vërteta është se më vonë, Bayern e bleu atë për 10 milionë euro dhe sot ai është në rrugën e tij për të qenë mbrojtësi i majtë më i mirë në botë.

Se Davies është njëri nga më të mirët tani, këtë e tregon edhe paraqitja e tij brilante ndaj Barcelonës.

Lexo po ashtu Bayerni i shënoi tetë gola Barcelonës, por të gjithë po flasin për turpërimin që Davies i bëri Messit, Vidalit dhe Semedos

Davies u tregua i papërmbajtshëm në mbrojtje dhe sulm, ndërsa pati edhe një depërtim magjik ku dribloi tre lojtarë dhe në fund asistoi te goli i Joshua Kimmich.

Gjatë ndërprerjes së futbollit shkaku i coronavirusit, Bayerni vendosi të përmirësojë kontratën e futbollistit, e cila tani përfundon në vitin 2025. /Telegrafi/

Exit mobile version