Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu ka folur për ‘detyrimin’ e tij për të menduar për klubin pasi Lionel Messi të dalë në pension.
Ylli argjentinas ka qenë një bast i fituar për katalunasit pasi ka shkëlqyer për plot 14 sezone.
Por, Messi festoi 32 vjetorin e tij në muajin e kaluar dhe mendimet tani mund të kthehen në të ardhmen e klubit pas pensionimit të tij.
“Mendoj se detyrimi ynë është të punojmë për epokën post-Messi”, ka thënë fillimisht Bartomeu për Diario AS.
“Ne tashmë po mendojmë për këtë sepse po sjellim lojtarë të rinj”.
“Si president shpresoj që Leo të jetë me ne edhe për shumë vite, por duhet të mendojmë për këtë ndryshim për kur ai vendos të ndalojë të luajturi”, përfundoi presidenti i Barcelonës.
Argjentinasi mbetet pika kyçe e sulmit të klubit dhe përkundër investimeve të mëdha gjatë viteve, konsiderohet si lojtari më i vlefshëm në botë.
Messi ka shënuar 603 gola në 687 paraqitje me ekipin e parë të Blaugranëve dhe ka fituar 34 trofe me Barcelonën, duke përfshirë 10 tituj të La Ligës dhe katër kurora të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/