Philippe Coutinho dhe Samuel Umtiti janë në mesin e lojtarëve që do të largohen nga Barcelona, pas mbylljes së sezonit në mënyrë jo të mirë.
Një numër i madh i lojtarëve të skuadrës katalunase pritet që t’i paketojnë valixhet për t’u larguar në verë, ndërsa Jose Maria Bartomeu e ka konfirmuar se nuk do ta ndalojnë largimin e tyre.
Blaugranët e mbyllën sezonin duke humbur në finale të Kupës së Mbretit ndaj Valencias me rezultat 2-1, duke bërë që në fund të mbesin vetëm me titullin e La Liga-së, por që eliminimi nga Liga e Kampionëve ka lënë gjurmë tek ata.
“Sezoni përfundon me trofeun e La Ligas. Nuk ishte e mundur ta fitonim Kupën e Mbretit, por ne do të luftojmë në sezonin tjetër. Çdo vit vijnë lojtarë të rinj. Deri më tani ne kemi transferuar De Jongun dhe tani jemi duke punuar për transferimet e reja, normalisht si në çdo verë tjetër”, ka thënë Bartomeu në një konferencë për media.
“Tani nuk është momenti që të flasim për ndonjë gjë. A do të ketë largime? Natyrisht se po, janë disa lojtarë që nuk kanë arritur të ambientohen, andaj do të bisedojmë në ditët e ardhshme me ta”, ka shtuar më tej presidenti i Barcelonës. /Telegrafi/