Nga: Gjergj Meta
Me siguri keni dëgjuar shprehjen: “E para ishte Fjala” ose “Në fillim ishte Fjala”. Vetë kam dëgjuar që e përdorin shumë njerëz edhe në fushën e letrave apo të gazetarisë, por edhe si një shprehje e zakonshme në ndonjë bisedë mes miqsh. Pakkush ndoshta e di se kush e ka thënë, përveç ndonjërit që ka bërë studime specifike.
Kjo shprehje gjendet në fillim të Ungjillit të Gjonit. Është fjalia që hap këtë tekst, i fundit ndër ungjijtë për nga koha e shkrimit.
Gjoni ishte një prej nxënësve të Jezusit, më i riu me shumë gjasa midis tyre, për të cilin ai, pra Jezusi, ushqente një dashuri të veçantë. Gjoni ia “shpërbleu” këtë dashuri, pasi nuk e braktisi mësuesin e tij në çastin e Kryqit, sikurse bënë të tjerët, por qëndroi aty bashkë me Nanën e Jezusit.
Gjoni u bë bardi i Fjalës, i Logosit të amshuar, nëpërmjet të cilit u krijua gjithçka. Ajo Fjalë ishte aty kur gjithçka mori formë. Ishte edhe kur merrte formë materia, kur niste koha dhe hapësira, kur elementët e ndryshëm, neutrone e protone, kombinoheshin për t’i dhënë jetë asaj çka ne shohim. Ajo Fjalë është po ashtu muza që ka frymëzuar artin, shkrimin, pikturën e skulpturën, mendimin filozofik e shkencat. Secila prej këtyre është pjesë e Fjalës, por ende jo plotësisht Fjala.
Gjoni i këndon kësaj Fjale (logos) e cila për të është e njëjta gjë me Dashurinë (agape), sepse Gjoni na thotë edhe se “Hyji është dashuri”.
Bard i Fjalës, bard i Dashurisë, i Fjalës që bëhet njeri, i Dashurisë që përkulet e përqafon njerëzimin. Ja pse Kisha e feston shën Gjonin apostull dhe ungjilltar pikërisht dy ditë pas Krishtlindjes!