Telegrafi

Bardhi reagon për incidentin pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së: Përmes shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike që përfundoi pas tetë orësh e gjysmë në orët e para të mëngjesit të sotëm u shoqërua edhe me një përplasje mes mbështetësve.

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi duke reaguar për këtë ngjarje vuri në dukje se “dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike”.

Lexo po ashtu Kryesia e PD merr vendimin, caktohet data e zgjedhjes së kryetarit të ri

“Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD”, u shpreh ai.

“Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit koleg të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”, tha Bardhi.

Media publikoi sot pamje ku disa nga deputetët demokratë janë përballur me kërcënime dhe ofendime pasi nuk kanë marrë pjesë në hapjen e garës për kryetarin.

Kryesia e PD-së u përfshi nga debatet ndërsa diskutoi hapjen e zgjedhjeve të reja brenda partisë, pasi një pjesë e deputetëve kërkuan më shumë kohë dhe përgatitje për procesin.

Hapja e garës për kryetar në PD u bë pasi Jorida Tabaku dha dorëheqjen nga funksionet e saj në parti. /Telegrafi/